Cmimet për shërbimet në hipotekë tani me shtrenjtë

TV Scan

Violeta Shqalsi

Lajme

News/Hipoteka-zyra-F

Rriten disa herë çmimet për dhënien e dokumenteve nga hipotekat.

Tashmë janë botuar në fletoren zyrtare dhe pritet  të hyjnë në fuqi më 1 janar të vitit 2013, tarifat e reja  që do të aplikohen nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Certifikatat e pasurisë, pas 1 janarit , do të kushtojnë 3.7 herë më shumë se sa tani pra  nga 400 lekë, qytetarët do të paguajnë 1500 lekë. Ky ndryshim është propozuar nga dy ministrat, ai i Financave dhe i Drejtësisë.

Kjo vjen pas përgatitjes së projektligjit nga Ministria e Drejtësisë për pavarësinë financiare të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kështu , nga 1 janari pritet që hipoteka të punojë me vetëfinancim dhe, si rrjedhojë, edhe tarifat e vjetra, të miratuara rreth vitit 2000, nuk janë vlerësuar si të mjaftueshme. Një zë që pëson rritje të ndjeshme është fotokopjimi i dokumenteve. Kërkesa për fotokopje të dokumenteve të pasurive të paluajtshme, për çdo faqe, nga 50 lekë që kushton sot, do të kushtojë 200 lekë për faqe, pra rreth 4 herë më shumë.

Kjo është një procedurë që pritet të sjellë shumë të ardhura për hipotekat, pasi shumë qytetarë që janë në procese gjyqësore apo në procese të kthimit dhe njohjes së pronës, kërkojnë mijëra faqe dokumente të tilla në hipotekë. Miratimi i këtyre tarifave korrigjon edhe vendimin e vitit 2003, kur në listën e tarifave u shtuan edhe zërat e dokumenteve që u duhen bankave, që janë edhe më të shtrenjtat në listën e tarifave. Çuditërisht, i vetmi zë që nuk ndryshon nga viti 2003, është ai i “Regjistrimit fillestar të veçantë i pasurive të paluajtshme në zonat rurale”. Ky shërbim kushtonte 30 mijë lekë dhe kushton po aq edhe me tarifat e reja. Shtesë ka edhe për hipotekimin e karabinave.“Regjistrim provizor i karabinasë”, në hipotekë është shtuar në vitin 2004 me një tarifë prej 1 mijë lekësh. Në tarifat e reja të miratuara , ky regjistrim do të bëhet për një tarifë prej 6500 lekësh, pra 6.5 herë më shtrenjtë.

Violeta Shqalsi

Shpërndaje në Facebook
Shpërndaje në Twitter